Autoritetet kroate kanë ndaluar një ngarkesë me pjeshkë nga Shqipëria, pasi analizat laboratorike zbuluan se frutat kishin përmbajtje të lartë metalesh nikeli, duke i klasifikuar si një rrezik potencial për konsumatorët.
Njoftimi u bë publik nga Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin (RASFF) i Komisionit Europian, i cili paralajmëron se produktet e ndotura përbëjnë kërcënim serioz për shëndetin. Ende nuk është bërë e ditur se cila kompani shqiptare qëndron pas eksportit të ngarkesës së bllokuar.
Ky është rasti i dytë brenda pak muajsh kur Kroacia bllokon produkte ushqimore shqiptare. Më 12 mars, përmes të njëjtit sistem alarmi, një ngarkesë me speca nga Shqipëria u ndalua pasi kishte nivele shumë të larta të pesticidit flonicamid – substancë që mund të dëmtojë mëlçinë dhe veshkat e njeriut.
Ekspertët theksojnë se raste të tilla jo vetëm rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve, por cenojnë edhe besueshmërinë e produkteve shqiptare në tregun europian.


