Ngjarja tragjike në Volos ku shqiptari 40-vjeçar, Pandeli Nakoleci, vrau bashkëshorten e tij Marjolën, po zbardhet me detaje të reja. Mediat greke raportojnë se shkaku që ndezi xhelozinë e sëmurë të autorit ishte një mesazh i gjetur në telefonin e saj. I varur nga droga dhe me histori problemesh psikiatrike, ai dyshonte se gruaja kishte një lidhje jashtëmartesore dhe kjo e çoi drejt aktit fatal.
Policia greke ka nisur gjurmimin e rrugës së arratisjes së tij përmes kamerave të sigurisë të vendosura në rrugët Konstanta dhe Gladstonos. Një pjesë e hetuesve dyshon se Nakoleci mund të ketë vrarë edhe veten, pasi vetëm dy muaj më parë kishte tentuar të hidhej nga veranda e shtëpisë, gjithnjë para syve të fëmijëve. Atëherë u dërgua në klinikën psikiatrike të Volosit, ku mjekët konstatuan se ndodhej nën ndikimin e drogës.
“Dëgjova fëmijët duke vrapuar poshtë shkallëve. Pastaj, ai mbante diçka në duar”, rrëfen një dëshmitar okular. Një tjetër banor i lagjes përshkruan momentet pas krimit: “Pashë një dritare të thyer dhe një grua me gjak. Ai po ikte zbathur, me një mjet të mprehtë në dorë, duke bërtitur ‘po më ndjekin’”.
Pandeli Nakoleci kishte pasur edhe më herët probleme me ligjin. Në vitin 2019 u arrestua tre herë për posedim dhe trafik droge, por qëndroi në burg vetëm dy muaj. Prej atëherë, ai jetonte mes vështirësive financiare, varësisë nga droga dhe shpërthimeve të dhunës.
Pas krimit të tmerrshëm para syve të fëmijëve, qyteti i Volosit është i tronditur. Fqinjët dhe komuniteti shqiptar atje nuk e fshihnin habinë, duke thënë se edhe pse grindjet mes çiftit ishin të shpeshta, askush nuk e kishte imagjinuar një fund kaq tragjik.