Dy foshnje të porsalindura, të lindura para kohe, kanë humbur jetën brenda pak orësh në spitalin e Bolzanos, njofton La Repubblica. Njëra ndërroi jetë të martën, ndërsa tjetra gjatë natës së së mërkurës.
Të dyja ndodheshin në repartin e kujdesit intensiv neonatal, ku mjekët dyshojnë se shkaku i vdekjes mund të jetë një infeksion i shkaktuar nga bakteri serratia. Ky mikroorganizëm gjendet shpesh në mjediset spitalore dhe mund të kontaminojë sipërfaqe e pajisje mjekësore.
Foshnjat ishin vetëm disa ditëshe dhe veçanërisht të brishta për shkak të lindjes së parakohshme. Drejtoria e spitalit, bashkë me shefin e neonatologjisë dhe terapisë intensive neonatale, Alex Staffler, po ndërmarrin masa për të parandaluar raste të tjera, përfshirë mundësinë e transferimit të pacientëve të tjerë në një repart tjetër.
Sipas shërbimit shëndetësor të Tirolit të Jugut, situata aktualisht konsiderohet nën kontroll.
Radar.al


