Superjahti luksoz “A+” ka mbërritur mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit, duke u ankoruar për të pestin vit radhazi në ujërat shqiptare. Në pronësi të Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, anëtar i familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe njëherazi pronar i klubit të futbollit Manchester City, A+ është ndër jahtet më të mëdha dhe më luksoze në botë, duke përfaqësuar një nivel të lartë të teknologjisë moderne detare dhe luksit ekstravagant.
Projektuar nga dizenjuesi i njohur Tim Heywood dhe me një interier të kuruar nga Terence Disdale, ky jaht është ndërtuar për të akomoduar deri në 52 mysafirë në 26 kabina, ndërsa ekipi i ekuipazhit përbëhet nga 79 persona. A+ lëviz me motorë të fuqishëm Wärtsilä Diesel Electric, duke arritur një shpejtësi maksimale prej 19 nyjesh dhe një shpejtësi mesatare lundrimi prej 12 nyjesh.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga Kapiteni i Portit të Durrësit për Top Channel, së bashku me jahtin A+ kanë mbërritur edhe dy mjete të tjera ndihmëse, të quajtura M2 dhe Alesund, që shërbejnë për mbështetje logjistike dhe teknike gjatë udhëtimeve të flotës. Gjatë qëndrimit të tyre në port, tre jahtet do të furnizohen me rreth 900 mijë litra naftë. Për këtë sasi karburanti, pronari do të paguajë një taksë luksi prej 40 centësh për litër, përveç çmimit të tregut që aktualisht qëndron rreth 60 cent për litër. Vetëm nga kjo taksë specifike, arka e shtetit shqiptar do të përfitojë rreth 360 mijë euro, pa llogaritur të ardhurat nga shërbimet portuale dhe tarifat e tjera që lidhen me qëndrimin e mjeteve në port.
Mbërritja e përsëritur e superjahtit A+ në Durrës shihet si një tregues pozitiv për rritjen e reputacionit të Shqipërisë si destinacion për turizmin luksoz në Mesdhe. Autoritetet portuale e konsiderojnë këtë prani të përvitshme si një shenjë besimi ndaj infrastrukturës portuale dhe një mundësi të rëndësishme për promovimin e vendit në hartën ndërkombëtare të jahteve elitare.
Radar.al


