Tregu bankar shqiptar pritet të zgjerohet me një institucion të ri financiar. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka dhënë miratimin paraprak për licencimin e bankës turke Ziraat Bank, e cila do të ushtrojë aktivitetin e saj në vend si degë e një banke të huaj.
Ziraat është një nga institucionet financiare më të mëdha dhe me historinë më të gjatë në Turqi, e themeluar në vitin 1863. Aktualisht, banka operon në 22 vende të botës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Greqinë, Bullgarinë, Kosovën dhe Qipron Veriore. Asetet e saj arrijnë në rreth 167 miliardë dollarë, duke e renditur si bankën më të madhe shtetërore në Turqi.
Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, Ziraat Bank ka një afat prej 12 muajsh për të përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe rregullatore për të marrë licencën përfundimtare dhe për të filluar operimin në tregun shqiptar.
Kjo do të jetë banka e 12-të që ushtron aktivitet në Shqipëri dhe e dyta bankë turke, pas Bankës Kombëtare Tregtare (BKT). Prania e Ziraat pritet të sjellë rritje të konkurrencës dhe zgjerim të ofertës për klientët, veçanërisht në sektorët e financimit të banesave dhe tregtisë së jashtme – fusha ku kjo bankë ka përvojë të gjerë.


