Një incident i pazakontë ka ndodhur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku një qytetar i veshur me bluzë kuq e zi është filmuar duke shkelur flamurin e Kosovës me të dy këmbët, ndërsa në duar mbante flamurin kombëtar shqiptar.
Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, ndër ta edhe Ramadan Nishori, i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, i cili ndërhyri dhe i mori flamurin e Shqipërisë të dyshuarit, duke i kërkuar që të mos përdhosë simbolet e Kosovës. Në një video të shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, dëgjohet Nishori duke i thënë: “Mos ma shkel flamurin e Kosovës.”
Ngjarja është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila ka identifikuar personin si shtetas shqiptar nga Fieri.
“Ai është nga Fieri dhe është duke u intervistuar nga Policia”, deklaroi zëdhënësja Flora Ahmeti.
Video të incidentit janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta publike dhe debat mbi respektin ndaj simboleve kombëtare dhe ndjeshmërinë historike në Kosovë.


