Policia italiane ka arrestuar tre shqiptarë, të moshave 37, 38 dhe 39 vjeç, si drejtues të një grupi kriminal që operonte një laborator për përgatitjen e drogës në një fermë.
Pas hetimeve intensive në Milano dhe Piacenza, autoritetet zbuluan një laborator të kompletuar ku përpunohej dhe përzihej kokaina për t’u shitur më pas me fitim të lartë. Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth dy kilogramë kokainë, një kilogram përzierës, detergjentë, një furrë elektrike, peshore precize dhe gati 4000 euro cash, të dyshuara të ardhura nga trafiku i drogës.
Tre shqiptarët dhe një italian u kapën duke pastruar pajisjet e laboratorit, ndërsa shisnin drogën në zonën e Pontenures.
Hetimet vazhdojnë për zbulimin e të gjithë rrjetit dhe personave të përfshirë.


