Media britanike “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar operacionit të fundit të SPAK, që çoi në goditjen e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës. Në fokus të medias britanike janë vëllezërit Klevis dhe Artur Hoxhosmani, dy nga të arrestuarit e këtij operacioni, të njohur për jetën e tyre luksoze në Londër, Dubai dhe Monako.
Operacioni i koduar nga SPAK nxori 7 urdhër-arreste, ndërsa 6 persona u prangosën, përfshirë edhe Ermir Ndrejaj, Ilir Lloshaj, Erion Alibej dhe Plaurent Dervishaj (ky i fundit i arrestuar më herët për ngjarje të tjera kriminale).
“Daily Mail” i kushton një pjesë të rëndësishme të raportimit profilit të vëllezërve Hoxhosmani, veçanërisht Klevisit, për të cilin theksohet lidhja personale me vajzën e ish-deputetes Majlinda Bregu, Kejda Ajazin. Artikulli flet për stilin e tyre të jetës, pronat dhe bizneset në Britaninë e Madhe, përfshirë lavazhe makinash, lokale kafeje dhe një servis gomash në qytetin Bournemouth.
Sipas medias britanike, Klevis Hoxhosmani ka qenë i dënuar më herët në Britani për dhunë ndaj një gruaje në vitin 2014, për çka është ndëshkuar me shërbim komunitar dhe një gjobë simbolike. Aktualisht, ai figuron si drejtor i kompanisë Opa Coffee Limited.
Ndërkohë, vëllai i tij Artur Hoxhosmani është përmendur si ish-pronar i një lavazhi në Ferndown, ku së fundmi janë arrestuar dy shtetas të huaj për shkelje të kushteve të lirimit me kusht.
Në Shqipëri, hetimet janë zhvilluar nga SPAK, konkretisht nga prokurorët Altin Dumani dhe Adnand Xholi, të cilët zbuluan se kokaina fshihej në mënyrë të sofistikuar në paleta druri, arka me banane, thasë me kakao dhe materiale ndërtimi.
Gjithashtu, rrjeti kriminal përdorte pseudonime dhe metoda të sofistikuara pagesash, siç është sistemi informal “Hawala”, që funksionon përmes ndërmjetësuesve të besuar dhe shmang sistemet bankare.
Operacioni është konsideruar si një prej goditjeve më të rëndësishme të muajve të fundit ndaj trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pritet të pasohet nga hetime të tjera për identifikimin e bashkëpunëtorëve të rrjetit.
Radar.al


