Një nga emrat më legjendarë të industrisë së teknologjisë po i jep fund një kapitulli të madh. HMD Global – kompania që që nga viti 2017 mbante licencën për prodhimin e telefonave nën markën Nokia – ka ndalur plotësisht shitjen e smartfonëve Nokia nga faqja e saj zyrtare, duke vulosur kështu fundin e epokës së telefonave inteligjentë me këtë logo ikonike.
Në vitet ’90 dhe fillim të 2000-ës, Nokia ishte sinonim i telefonave mobilë. Modelet 3310, 8210 dhe legjendari “bananja” 8110 nuk ishin thjesht pajisje komunikimi, por simbole të qëndrueshmërisë dhe inovacionit. Në kulmin e saj, Nokia zotëronte mbi 40% të tregut global dhe tingulli i ziles së saj ishte muzika e përditshme e miliona përdoruesve në gjithë botën.
Por me shpërthimin e erës së smartfonëve, kompania bëri një nga gabimet më të kushtueshme në historinë e teknologjisë: nënvlerësoi fuqinë e Android-it dhe iPhone-it, duke qëndruar kokëfortësisht tek sistemi operativ Symbian. Edhe partneriteti i mëvonshëm me Microsoft-in dhe Windows Phone nuk arriti ta shpëtonte.
Ekspertët e quajnë rënien e Nokia-s një kombinim mes strategjive të gabuara dhe një kulture të brendshme të frikës që paralizoi inovacionin.
Sot, Nokia nuk është më në tregun e telefonave inteligjentë, por marka vazhdon të jetojë në një tjetër front – atë të rrjeteve të telekomunikacionit, 5G dhe licencave të patentave. HMD Global, tashmë me emrin Human Mobile Devices, po zhvillon linjën e saj të telefonave Android pa logon Nokia, ndërsa vetëm disa modele klasike me dizajn retro mbajnë ende këtë markë ikonike.
Një gjë është e sigurt: për shumë njerëz, Nokia nuk ishte vetëm një telefon – ishte pjesë e kujtimeve të tyre, një epokë që tani mbyllet përfundimisht.


