Gjykata e Apelit ka anuluar masën e paraburgimit për pesë policët e dyshuar për vdekjen e Agon Zejnullahut, 27 vjeç, që humbi jetën më 7 korrik pas arrestimit nga forcat e rendit në Lipjan.
Avokati Besnik Berisha, që mbron njërin prej policëve, e quajti vendimin “fitore të arsyes mbi frikën nga opinioni publik”. Pesë zyrtarëve u ishte caktuar paraburgimi më 9 korrik nga Gjykata Themelore, ndërsa Apeli e rrëzoi për herë të parë më 17 korrik. Pas një rivendosjeje të rastit dhe një vendimi të dytë për t’i mbajtur në burg, Apeli përsëri i liroi.
Policia deklaroi se i ndjeri ishte nën ndikimin e alkoolit dhe po sulmonte automjete e kalimtarë kur u ndalua. Por familja dhe shoqëria civile pretendojnë se 27-vjeçari u dhunua nga policët, duke iu referuar edhe pamjeve që qarkulluan online.
Pas ngjarjes, komandanti i Policisë së Lipjanit, Argjend Gashi, dha dorëheqjen. Rasti mbetet në hetim nga Prokuroria, ndërsa familja kërkon drejtësi dhe transparencë për vdekjen e Agonit.


