MILOT– Dom Gjergj Meta, Presidenti i Konferencës së Ipeshkopkëve të Shqipërisë, mëngjesin e kësaj të premteje ka reaguar ashpër duke ngritur shqetësimin lidhur me atë çfarë është duke ndodhur në veri të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Dom Gjergj Meta ka denoncuar publikisht bllokimin e urës së Milotit, në një kohë kur dasmat në këtë zonë janë të shumta dhe emigrantët kthehen në vendlindje.
Duke drejtuar gishtin nga autoritetet dhe vënë në dukje papërgjeshmërinë e tyre lidhur me këtë situatë, ai ka theksuar se ky aks është mjaft i rëndësishëm në zonë dhe bllokimi i tij për punime në këtë periudhë të vitit është “çmenduri”.
POSTIM I Dom Gjergjit:
A kontrollon kush me kohë gjendjen e urave që të ndërhyhet preventivisht e të mos bllokohet një aks që është një valvul shkarkuese e rëndësishme sidomos në këtë periudhë të vitit?
Si ka mundësi në mes të sezonit turistik, në kulmin e ardhjes së emigrantëve për pushime, në kulmin e dasmave bllokohet ura e Milotit?
Çfarë inkompetence absolute e institucionit që merret me rrugët. Asnjë llogaridhënie, asnjë lajmërim paraprak, asnjë sqarim si do të bëhet, kur do të bëhet, vetëm thjesht “Ndalohet!”./Radar.al



