Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në vendimin e vitit 2015 për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, duke i dhënë asaj përgjegjësi më të gjera në mbikëqyrjen e lejeve të ndërtimit që janë në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.
Nëpërmjet kontrolleve në terren dhe monitorimit përmes sistemeve të kamerave, Agjencia do të përgatisë raporte të detajuara dhe do t’i përcjellë ato Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, si dhe institucioneve të tjera përkatëse.
Përveç rolit mbikëqyrës, Agjencia do të organizojë aktivitete promovuese si ekspozita, panaire dhe evente të tjera kombëtare e ndërkombëtare për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe integrimin e arkitekturës moderne në planifikimin territorial.
Një tjetër nismë e rëndësishme është dhënia e të drejtës për Agjencinë të financojë ose bashkëfinancojë projekte që lidhen me zhvillimin territorial dhe promovimin e arkitekturës inovative.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe zbatimi i tij do të monitorohet nga vetë Agjencia e Zhvillimit të Territorit.

