GREQI– Autoritetet greke kanë zbardhur atentatin e ndodhur më 13 Korrik në një lokal në Athinë, ku mbetën të plagosur një turk dhe një polic grek. Si autor i ngjarjes është arrestuar 22-vjeçari shqiptar Alesio Biba, nga Vau i Dejës, i cili dyshohet se vepronte me urdhër të një mafiozi turk të burgosur.
Konflikti ka ndodhur në lokalin “Filloas” në rrugën “Tripoleos”, ku u qëllua me armë zjarri ndaj 48-vjeçarit turk Volkan Ertas. Si pasojë e atentatit, mbeti i plagosur edhe një polic grek, bashkëshort i pronares së lokalit. Ertas kishte shkuar aty për të marrë një makinë, në një takim të organizuar nga Suleyman Dalgic, një turk i burgosur për vrasjen e 6 bashkëkombasve të tij në vitin 2023.
Gjatë arrestimit, Biba tentoi të asgjësojë telefonin e tij celular, ndërsa në banesë iu gjetën arma e krimit, municione, pajisje komunikimi dhe udhëzime për pajisje gjurmimi të automjeteve. Në dëshminë e dhënë, ai pranoi autorësinë e atentatit, duke pohuar se kishte për synim vetëm plagosjen e Ertas.
Policia greke njoftoi se urdhëruesi i atentatit, Suleyman Dalgic, ndodhet në burgun e Larisas, ku po vuan një dënim të përjetshëm për ekzekutimin e gjashtë pjesëtarëve të grupit kriminal “Daltons” në Turqi./Radar.al


