Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për një çështje të rëndë që përfshin rrjedhje të sekreteve shtetërore dhe korrupsion zgjedhor, duke dërguar për gjykim ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja, Altin Hajrin dhe Ahmet Mashën.
Sipas SPAK, gjatë viteve 2020–2021, Çyrbja ka nxjerrë të dhëna të ndjeshme nga sistemet shtetërore si TIMS dhe Policia e Shtetit, të cilat më pas janë shpërndarë përmes platformave të enkriptuara “Sky ECC” dhe “Matrix”. Ai akuzohet për rrjedhje të përsëritura sekretesh shtetërore, përkrahje të autorëve të krimit dhe korrupsion aktiv në zgjedhje.
Hetimet zbuluan se Çyrbja kishte lidhje të ngushta me Altin Hajrin – aktualisht në kërkim ndërkombëtar – të cilit i kishte ofruar ndikim tek institucionet e drejtësisë në këmbim të mbështetjes elektorale, duke konsumuar vepra penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv.
Ndërkohë, Ahmet Masha dyshohet se ka bashkëpunuar me Çyrbjan në rrjedhjen e informacionit sekret dhe mbështetjen e autorëve të krimeve në mars 2021.
SPAK thekson se tre të pandehurit kanë bashkëpunuar në të paktën tetë episode përgjatë periudhës maj 2020 – mars 2021, duke dekonspiruar operacione policore për kapjen e personave në kërkim. Këto veprime kanë ndihmuar të kërkuarit të shmangin arrestimin.
Hetimet janë mbështetur në analizën e komunikimeve të koduara si dhe në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në Francë, Holandë, Belgjikë, si edhe me mbështetjen e Eurojust dhe Europol.


