Një ekip i forcave RENEA është angazhuar në operacionin e ekstradimit drejt Shqipërisë të Leonard Dukës, sipas burimeve.
Duka, i shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, është arrestuar në Bruksel, ku jetonte në një prej lagjeve të qeta të kryeqendrës europiane.
Klani ‘Duka’ ka qenë i skeduar si grup i strukturuar i trafikut të drogës Shqipëri-Gjermani.
Armiqësia e Dukës me Ervis Martinajn ka tërhequr tepër vëmendjen.
Ervis Martinaj, ka qenë një nga bosat më të mëdhenj të lojërave të fatit në Shqipëri, duke qarkulluar dhjetëra milion euro si dhe një investitor i madh në sektorin e ndërtimit. Martinaj ishte kthyer ‘në gjahun’ më të shtrenjtë të rivalëve të tij, ku shpesh është përmendur dhe Klani “Duka”.
Që nga viti 2019 ndaj tij janë planifikuar dhe tentuar disa atentate, por në të gjitha rastet armiqtë e tij dështuan.
Në vazhdën e kësaj gjuetie ndaj milionerit, Vis Martinaj, i cili që nga mbyllja e basteve sportive ka bërë një jetë të fshehur në zonat rurale të largëta në aksin Laç-Lugina e Patokut, kundërshtarët e tij arritën që të eliminojnë disa nga njerëzit më të afërt të tij ndërkohë që vetë Martinaj është zhdukur më gusht të vitit të kaluar.


