Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur këtë të enjte, rreth orës 14:05, në aksin kombëtar Peqin – Elbasan, në dalje të qytetit të Peqinit.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dy automjete janë përplasur me forcë, duke u shkatërruar pothuajse plotësisht. Si pasojë e përplasjes, dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe janë dërguar me urgjencë drejt spitalit rajonal për ndihmë mjekësore.
Të plagosurit janë identifikuar si: Arlind Elhasa, drejtues i furgonit si dhe drejtuesi i autoveturës, emri i të cilit nuk është bërë ende publik.
Burime nga spitali bëjnë me dije se të dy ndodhen nën kujdes intensiv, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore mbetet e paqartë për momentin.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe shërbimet e emergjencës, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë punuar për rikthimin e qarkullimit në aksin rrugor, i cili për disa minuta ishte i bllokuar.
Sipas të dhënave paraprake, shpejtësia mbi normat e lejuara ose një manovër e gabuar dyshohen si shkaqe të mundshme të aksidentit, por hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e ngjarjes.


