Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e ish-efektivit të “Shqiponjave”, Nevaldo Hajdaraj, i dënuar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha. Me këtë vendim, konfirmohet dënimi me 18 vite burg për “vrasje me dashje”, i cili zbret në 12 vite heqje lirie për shkak të përfitimit të gjykimit të shkurtuar.
Ngjarja tragjike ndodhi në mesnatën e një dite, kur Klodian Rasha u përpoq të shmangte ndalimin nga efektivi Hajdaraj për shkelje të orës policore. Ndjekja filloi në zonën e Zogut të Zi drejt sheshit “Shqiponja” dhe përfundoi në një rrugicë mes Laprakës dhe rrugës “Dritan Hoxha”.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, në orën 02:02, efektivi Hajdaraj shfaqet duke qëlluar me armën e shërbimit pas shpine të riut, i cili po largohej me shpejtësi. Më pas, ambulanca mbërriti në vendngjarje, por për shkak të plagëve të rënda dhe hemorragjisë, Klodian Rasha ndërroi jetë para mbërritjes në Spitalin e Traumës.
Prokuroria kërkoi dënim me 20 vite burg dhe heqje të gjykimit të shkurtuar, por Apeli vendosi konfirmimin e akuzës për “vrasje me dashje”, duke argumentuar se viktima nuk kishte armë dhe nuk përbënte kërcënim ndaj efektivit Hajdaraj, i cili nuk mund të justifikohej me vetëmbrojtjen.
Me rrëzimin e rekursit, dënimi i ish-efektivit me 12 vite burg mbetet në fuqi, duke i dhënë fund një procesi gjyqësor që ka pasur jehonë të madhe në opinionin publik.


