Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë normën bazë të interesit për valutën kombëtare për herë të parë gjatë vitit 2025, duke e çuar nga 2.75% në 2.5%. Kjo është ulja e parë që nga nëntori i vitit 2024, kur norma bazë ishte reduktuar nga 3% në 2.75%.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, njoftoi gjithashtu uljen e normës së interesit për kreditë njëditore nga 3.75% në 3.5%, si dhe normën e interesit të depozitave njëditore nga 1.75% në 1.5%.
“Sipas vlerësimit tonë, kjo vendimmarrje krijon kushtet më të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit brenda objektivit të parashikuar,” tha Sejko, duke theksuar se inflacioni vazhdon të mbetet nën kontroll.


