Sabajet Shuti, 31 vjeç, i njohur me nofkën “Skilla” dhe anëtar i grupit famëkeq Hellbanianz, është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Londër për vrasjen me thikë të Lumturi Zeqjas, 27 vjeç, më 16 tetor 2022 në Leytonstone.
Vëllai i tij, Emirlion Shuti (30 vjeç), i njohur si “Mili HB” dhe gjithashtu pjesë e Hellbanianz, u shpall fajtor për përfshirje në përleshje dhe u dënua me 20 muaj burgim, i konvertuar në shërbim prove.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:40, kur vëllezërit Shuti mbërritën në zonë me dy automjete. Pas një konfrontimi jashtë një kafeneje, situata u përshkallëzua me dhunë. Emirlion Shuti goditi me grusht një nga shokët e viktimës, ndërsa Sabajet Shuti nxori një thikë dhe goditi për vdekje Zeqjan, duke plagosur edhe mikun e tij.
Pas krimit, Sabajet Shuti u arratis në Francë, duke ndryshuar pamjen e tij. Ai u arrestua në Suedi në tetor 2023 dhe më pas u ekstradua në Mbretërinë e Bashkuar. Shoku i viktimës, i plagosur rëndë, iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente dhe arriti të mbijetojë.
Hetimet përmes kamerave të sigurisë dhe provave digjitale çuan në identifikimin dhe ndalimin e autorëve.


