Nga Dr. Jorgji Kote
“Samiti i Europianizimit te NATO- s”, kështu e konsiderojnë takimin e Aleancës Atlantike qe mbahet ne Hage me 24/ 25 Qershor.Por, së pari ai do të jetë provë, risk dhe përgjegjësi për Hagën, Holandën dhe vetë Shefin e NATO-s, Mark Rutte.
Se Haga është vendlindja e tij dhe deri një vit më parë Rutte ishte Kryeministër i Holandës, e cila mikpret për herë të parë një Samit të NATO-s pas 4 Prillit 1949, kur e bashkëthemeloi atë dhe më vonë BE-në.
Veç kësaj, takime të këtij formati janë madhore dhe komplekse, me jehonë planetare por dhe me sfida të jashtëzakonshme politike, protokollare, organizative dhe sigurie. Mjafton të permendim se këto ditë në Hagë do të jenë 45 Kryetarë Shteti dhe Qeverie, 90 ministra të Jashtëm/Mbrojtjes dhe 5000 delegatë! Shto këtu dhe 2000 gazetarë dhe 500 pjesëmarrës në forumin e sigurisë në kuadrin e tij dhe atëherë numri i pjesëmarrësve arrin në 8500 vetë, të gjithë me kërkesa specifike.
Por, ajo çka e bën dhe më unikal pikërisht këtë Samit është fakti se qysh nga krijimi i saj më 1949, NATO dhe Aleanca perëndimore në përgjithësi nuk ka njohur e nuk ka kaluar një situatë të tillë të mbingarkuar me konflikte dhe kërcënime ushtarake nga më të ashprat; ku me gjithë retorikat për armëpushim dhe paqe spikatin përshkallëzimi i agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës, me skenarë nga më të problematikët, konflagracioni në Lindjen e Mesme dhe vetë mbijetesa e Aleancës.
Për më tepër, në vend që këto sfida dhe shqetësime të lehtësoheshin dhe pakësoheshin pas Samitit të Uashingtonit korrikun e kaluar, ato janë shtuar dhe acaruar më tepër; me telashe, pështjellime dhe turbulenca politike e të sigurisë, përfshirë të ardhmen e NATO-s, veçanërisht dyshimet e ngritura mbi zbatimin nga SHBA-të Nenit 5 mbi mbrojtjen kolektive në rastin e një sulmi ushtarak nga Rusia.
Siç do të shihet dhe gjatë shkrimit, problemet kryesore të tematikës së Samitit tashmë janë të zgjidhura; për rrjedhojë, ky Samit pritet të jetë kryesisht një show, një demonstrim force, kohezoni dhe uniteti nga Aleanca.
Ndërkohë, shqetësimi më i madh këto ditë deri në përfundimin e Samitit më 25 Qershor në Hagë ka të bëjë me praninë dhe mikpritjen e Presidentit Trump, që të mos përsëritet skenari i Samitit në Bruksel më 2018, kur ai kërcënoi për një tërheqje të mundshme nga Aleanca. Ndaj dhe preokupimi i liderëve të vendeve anëtare të NATO-s dhe tani në prag të Samitit ka qenë dhe mbetet që Presidenti Trump të ndihet sa më mirë, të mos bezdiset dhe të mos zhgënjehet në asnjë aspekt; me qëllim që të qëndrojë deri në fund dhe pa u larguar para kohe nga Haga, siç bëri në Samitin e G – 7 në Kanada. Ky do të ishte suksesi më i madh i Samitit!
Për shkak të seriozitetit të situatës, me këto aspekte vendimtare të Samitit dhe të NATO-s është marrë intensivisht vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte; i cili njihet dhe si “ pëshpëritës” në veshin e Trumpit, njeriu që disa vite më parë ndikoi me mjeshtërinë diplomatike duke e bindur atë për dobinë e NATO-s.
Nisur nga meraku i lartpërmendur politik, për të shmangur çdo incident dhe ndonjë “sherr” politik janë bërë disa ndryshime, në dukje procedurale por në fakt jetike për mbarëvajtjen dhe suksesin e Samitit. Kështu, nga tre ditë siç ka qenë tradita e deritanishme, ky Samit fillimisht u shkurtua në 2 ditë; por meqenëse Trump nuk i ka për zemër protokollet dhe formalitetet e rastit, organizatorët shkuan dhe më tej duke e kufizuar praktikisht Samitin në jo më shumë se 24 orë; me vetëm një seancë plenare jo më të gjatë se 150 minuta. Gjithashtu, do jenë vetëm dy panele kushtuar shtimit të shpenzimeve për fuqizimin e kapaciteteve ushtarake të NATO-s dhe tjetri forcimit të industrisë ushtarake. Do të ketë vetëm një darkë protokollare nga Mbreti dhe më 25 Qershor Presidenti Trump do mbajë fjalimin e tij të shumëpritur. Edhe Këshilli Atlantik do të mblidhet vetëm një herë.
Po ashtu, Deklarata Përfundimtare do të jetë shumë më e thjeshtë dhe më e shkurtër se zakonisht. Sipas parimit “më mirë pak e sak se sa shumë dhe për lumë” ajo pritet të ketë vetëm 4–5 paragrafë, nga 40 që kishte Deklarata e Uashingtonit dhe 90 ajo e Vilniusit. Mark Rutte i parapriu “me lezet” kësaj dukurie të re duke thënë se nuk është e nevojshme të përsëriten gjëra që janë thënë.
Bie në sy se për të mos e bezdisur Trumpin dhe për të shmangur çdo “mollë sherri” që mund “ta hidhte në erë” Samitin, krejt ndryshe nga Uashingtoni, në deklaratën e Hagës do të shmanget përmendja e agresionit rus kundër Ukrainës, duke e kaluar thjesht me një shprehje për mbështetjen ndaj Kievit dhe ndoshta nevojën e përfundimit të luftës në Ukrainë dhe për paqe. Edhe Presidenti Zelenski është ftuar të jetë i pranishëm vetëm në darkën mbretërore më 24 Qershor, por ende nuk dihet nëse do të shkojë. Po në kuadrin e lartpërmendur është hequr nga axhenda takimi i Këshillit NATO- Ukrainë.
Nuk dihet nëse do flitet mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme pas përfshirjes së SHBA-në atë konflikt; por besohet se Presidenti Trump do ta theksojë në fjalën e tij.
E megjithatë, prapë e keqja nuk u shmang dot. Me 23 Qershor, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Trump nuk do të jetë më 24, por më 25 Qershor në Hagë, por pa dhënë deri vonë shkakun e kësaj shtyrjeje, ndonëse mendohet se ka të bëjë me situatën në Lindjen e Mesme. Në fakt, është hera e parë që ndodh një gjë e tillë me Presidentin amerikan në një Samit e sidomos në atë të NATO-s, çka i shton ndjeshëm “dhimbjet e kokës dhe ethet” për organizatorët dhe mikpritësit holandezë. Ca më tepër se koha dhe hapësira për ndryshime në program janë tejet të kufizuara, për të mos thënë të pamundura. Pa hyrë në hamendësime, dyshime dhe ca më pak në spekulimet e rastit, shtyrja e pranisë së Presidentit Trump në Samit hedh natyrisht hije dyshimi mbi kohezionin dhe funksionalitetin e NATO-s.
Duke vijuar me përmbajtjen dhe tematikën e Samitit, objektivi i vetëm madhor për t’u miratuar aty zyrtarisht, mbasi të gjitha vendet janë dakordësuar paraprakisht është rritja e shpenzimeve ushtarake të çdo vendi anëtar të NATO-s, me përjashtim të SHBA-ve, pas kërkesës së Presidentit Trump, të pranuar nga të gjitha vendet anëtare nga 2 në 5 për qind, ku 3,5 për qind do t’i kushtohen kapaciteteve dhe industrisë ushtarake, ndërsa 1,5 për qind infrastrukturës dhe logjistikës mbështetëse. Kjo nuk ishte e lehtë, për shkak të kundërshtimeve nga disa vende dhe kryesisht Spanja, e cila “u dorëzua” vetëm në momentet e fundit në vigjilje të Samitit.
Kjo u arrit dhe falë kompromisit që ky objektiv nga të gjitha vendet të realizohet në vitin 2035 e jo më 2032, siç parashihej më parë mbas trysnisë amerikane. Se për çfarë hopi gjigant por dhe të kushtueshëm bëhet fjalë, rikujtojmë se rritja e shpenzimeve ushtarake për NATO-n deri në 5 për qind të GDP-së pë Gjermaninë, edhe pse do të realizohet në vitin 2035 është e barabartë me 225 miliard Euro, ose gati gjysmën e buxhetit gjerman për vitin 2024! E njëjta gjë mund të thuhet për të gjitha vendet e tjera, përfshi Shqipërinë.
Por, le ta theksojmë se krahas trysnisë së drejtë dhe të jashtëzakonshme nga Presidenti Trump, realizimi sa më shpejt i objektivit 5 për qind është jetik dhe vendimtar për mbijetesën e vetë NATO-s dhe vendeve të saj anëtare. Këtë ia tha troç Mark Rutte britanikëve në një takim në Chatham House në Londër më 10 Qershor, ku e paralajmëroi Londrën që ta realizojë kuotën 5 për qind të GDP-së për mbrojtjen; ndryshe, ajo mund ta ketë shtetin social, por ama do t’i duhet të mësojë rusishten!
Për fat të mirë, duke ia ditur për nder Trumpit që e mobilizoi “ me hir ose me pahir” Europa vjen në këtë fushë në Samit me një bilanc fillestar premtues; ajo tashmë e ka filluar procesin historik të transformimit të saj epokal dhe në një Bashkim të Madh Mbrojtës.
Madje, tani në Europë po flitet gjithandej për “Europianizimin” e NATO-s, që Europa të veprojë e të mbrohet vetë, me por dhe pa mbështetjen amerikane.
Vetë Plani i Riarmatimit i BE-së i miratuar më 18 Mars i mbështetur me fondin prej 850 Miliard Euro dhe fondin tjetër prej 150 Miliard Euro për industrinë ushtarake që sapo ka filluar të zbatohet është dëshmia më e qartë për sa sipër.
Ndërkohë, më 19 Maj BE-ja nënshkroi në Londër me Britaninë e Madhe Marrëveshjen Strategjike me 24 pika, një kapitull i ri në marrëdhëniet e tyre, një “exit” nga BREXIT, plot 5 vjet mbas ” divorcit” të tyre”. Mbrojtja, siguria dhe shkëmbimi i të dhënave sekrete, prania e UK-së në takimet e Ministrave të Mbrojtjes dhe forume të tjera të rëndësishme janë komponentë jetikë në këtë fushë.
Në krye të këtij procesi historik riarmatimi është vënë Gjermania, shteti më i madh dhe më i fuqishëm ekonomikisht i BE-së; ajo ka hequr dorë përfundimisht nga pacifizmi dhe ka shpallur objektivin madhor për t’u kthyer shumë shpejt në fuqinë më të madhe ushtarake kontinentale, duke forcuar bashkëpunimin me Francën, Britaninë, Poloninë, etj.
Pavarësisht nga problemet, SHBA-të dhe Presidenti Trump e panë se Friedrich Merz bëri ”revolucion” në fushën e mbrojtjes ende pa hyrë në zyrën e Kancelarit, duke ndryshuar më 18 Mars me konsensus me social-demokratët dhe të Gjelbrit Kushtetutën gjermane, që frenimi i borxhit të mos bëhet pengesë për shtimin e ndjeshëm të shpenzimeve ushtarake. Për këtë qëllim u miratua fondi special për mbrojtjen prej 500 Miliard Euro. E njëjta shumë u miratua dhe për modernizimin e infrastrukturës së vendit.
Ndërkohë, Gjermania dhe të tjerë po shqyrtojnë mundësinë e shtimit të rekrutimit të trupave, sipas aforizmës së njohur “ushtria fiton betejën, por populli luftën”.
Edhe Franca, Italia, Spanja, Britania e Madhe po intensifikojnë përpjekjet e tyre në këtë fushë madhore. Kështu, veç të tjerash, deri në vitin 2038 Franca do të ndërtojë një aeroplanmbajtëse të re bërthamore më të madhe e më moderne, 310 nga 268 metra të gjatë dhe 78.000 nga 42.000 ton që është “Charles de Gaulles”. Po ashtu, Italia synon të ketë dhe ajo aeroplanmbajtëse bërthamore. Këtu ato i referohen thënies së Kisingerit se nisur nga pesha e saj “një në kohërat dhe luftërat e sotme, një aeroplanmbajtëse do të thotë “100.000 tonë diplomaci”!
Megjithatë, prapë sfidat në këtë rast janë të mëdha dhe emergjente për shkak të mungesave dhe vonesave të shumta europiane krahasuar me Rusinë lidhur me armatimin luftarak. Të dhënat më të reja të bëra publike më 19 Qershor nga Instituti i specializuar në Kiel, Gjermani dhe “Instituti Bruegel” në Belgjikë tregojnë hendekun e thellë midis Rusisë dhe 4 vendeve kryesore të NATO-s – Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Polonisë të marra së bashku. Kështu, Rusia ka 36 herë më shumë tanke, 30 herë me shumë automjete të blinduara, 3 herë më shumë sisteme artilerie dhe një buxhet ushtarak prej 400 Miliard Euro, më të madh se të 4 vendet e lartpërmendura, etj. Ja pse Shefi i NATO-s, Mark Rutte ka kërkuar prej vendeve anëtare rritjen me 400 për qind të shpenzimeve në të gjitha këto fusha.
Për rrjedhojë, pritet që Presidenti Trump, por dhe Rusia dhe gjithë bota të shohë në Samitin e Hagës një NATO që premton europianizimin e saj në një të ardhme të afërt, me shpresë se Trump do të nxjerrë përfundimet përkatëse për t’i qëndruar fort Aleancës Perendimore. Sepse, siç e pohoi dhe Ish Komandanti i Trupave Amerikane të NATO-s në Europë gjatë viteve 2014 – 2017, Gjenerali Ben Hodges, në një intervistë më 23 Maj për “Le Monde” “me gjithë fuqinë e madhe ushtarake, SHBA-të nuk mund t’u bëjnë ballë të vetme sfidave serioze gjeopolitike dhe ushtarake; ato kanë nevojë për aleatë. Dhe aleatët më të besueshëm për ta në 80 vitet e fundit janë BE-ja, Kanadaja dhe Australia”.


