Momente paniku kanë përjetuar 150 pasagjerët e një avioni Airbus A319 që u detyrua të bëjë ulje emergjente pak minuta pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” në Athinë. Incidenti ndodhi të enjten, më 19 qershor, rreth orës 11:00 të mesditës, kur piloti njoftoi për praninë e tymit në kabinën e pilotëve dhe kërkoi ulje të menjëhershme.
Në avionin e kompanisë çarter Carpatair, që operonte për airBaltic me destinacion Rigën e Letonisë (fluturimi BT6162), u aktivizua alarmi i emergjencës sapo shfaqen sinjalet e para të tymit. Pas kontaktit me kullën e kontrollit, avioni devijoi mbi Detin Egje dhe u kthye në Spatë, ku u ul në mënyrë të sigurt në një pistë ndihmëse. Njësitë e zjarrfikëses ishin në gatishmëri, por për fat nuk u desh ndërhyrja e tyre.
Të gjithë pasagjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë evakuuar në mënyrë të sigurt. Teknikët e kompanisë pritet të kryejnë kontroll të plotë të avionit për të përcaktuar shkakun e problemit teknik që shkaktoi incidentin. Aktiviteti në aeroport është rikthyer në normalitet.


