Më 11 qershor, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian autorizoi Presidencën e BE-së që t’i dërgojë Shqipërisë letrën zyrtare për hapjen e negociatave mbi katër kapituj të rëndësishëm nga grup-kapitulli 4: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.
Shqipëria është e ftuar të paraqesë pozicionin e saj negociues për kapitujt që përfshijnë politikat e transportit, energjisë, rrjetet trans-evropiane dhe mbrojtjen e mjedisit. Ky hap do të përfundojë me Konferencën e Gjashtë Ndërqeveritare, data e së cilës do të shpallet së shpejti.
Kapitujt e përzgjedhur përfshijnë:
Kapitulli 14: Përmirësimi i infrastrukturës dhe siguria në transport (rrugë dhe hekurudha).
Kapitulli 15: Sigurimi i furnizimit me energji të qëndrueshme dhe të përballueshme.
Kapitulli 21: Ndërlidhja infrastrukturore e Shqipërisë me rrjetet trans-evropiane.
Kapitulli 27: Mbrojtja e mjedisit dhe përballimi i ndryshimeve klimatike sipas standardeve të BE-së.
Përmes këtyre negociatave, Shqipëria synon të bëjë hapa konkretë drejt ndërtimit të rrugëve më të sigurta dhe moderne, forcimit të lidhjeve rajonale, garantimit të energjisë së pastër dhe përmirësimit të kushteve mjedisore, që do të ndikojnë pozitivisht në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë.
Ky vendim i Bashkimit Evropian pasqyron progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit dhe konfirmon besimin e BE-së në reformat dhe përkushtimin e institucioneve dhe ekipeve negociatore shqiptare.


