Policia e Tiranës ka arritur të zbulojë armën me të cilën u plagos 15-vjeçari në zonën e Ali Demit, një armë e maskuar si stilolaps, që u gjet në rrugën “Riza Çuka” në Laprake. Ngjarja ndodhi më 1 qershor 2025, brenda një picerie, ku viktima punonte si kamerier i mitur, ndërsa autori, 21-vjeçari Aldi Neziri, ishte motorist i lokalit.
Pas hetimeve intensive, Neziri është arrestuar dhe po përballet me akuzat për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve”.

Ngjarja ka marrë përmasa më të gjera, pasi administratori i picerisë, Leonardo Mejdani, rezulton në kërkim. Policia dyshon se ai ka ndihmuar në fshehjen e provave pas krimit.
Në kuadër të hetimeve, janë arrestuar edhe tre punonjës të lokalit:
Ferit Basha,
Andi Hyka,
Keivin Bala,
të cilët dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr sistemin e kamerave të sigurisë (DVR) për të penguar zbardhjen e rastit.
15-vjeçari i plagosur, që aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, punonte në mënyrë të paligjshme dhe pa sigurime, fakt që ka ngritur shqetësime të forta mbi punësimin informal të të miturve në sektorin e shërbimeve.
Policia dhe Inspektorati i Punës pritet të ndërmarrin kontrolle të tjera në subjekte të ngjashme në Tiranë.
Ngjarja vazhdon të hetohet nga Prokuroria për të përcaktuar saktësisht motivet dhe përgjegjësitë ligjore të çdo të përfshiri.


