Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 14 vite burg të Arbër Çekajt, i shpallur fajtor për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë nga Amerika Latine drejt Shqipërisë. Sasia e konsiderueshme e drogës u sekuestrua më 28 shkurt 2018 në Portin e Durrësit, e fshehur në një kontejner me banane të destinuar për kompaninë “Arbi Garden”, në pronësi të Çekajt.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë vulos përfundimisht dënimet për të gjithë të përfshirët në këtë çështje. Donaldo Lushaj do të vuajë 10 vjet e 8 muaj burg, ndërsa Armando Pezaku është dënuar me 8 vite e 8 muaj heqje lirie.
Ky operacion përbën kapjen më të madhe të kokainës ndonjëherë në territorin shqiptar dhe u konsiderua një goditje e rëndësishme ndaj trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.


