Shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, zhvilloi një vizitë zyrtare me rëndësi të veçantë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës midis datave 15-17 maj, ku u takua me drejtuesit më të lartë të komunitetit amerikan të inteligjencës, përfshirë drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, dhe drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard.
Vizita, e cila u zhvillua në kuadër të thellimit të bashkëpunimit strategjik mes SHISH dhe agjencive homologe amerikane, u cilësua nga vetë institucioni si dëshmi e përkushtimit të ndërsjellë për garantimin e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare. Në komunikatën zyrtare të SHISH, theksohet se takimet u përqendruan në identifikimin dhe parandalimin e kërcënimeve të përbashkëta, përfshirë rreziqet hibride, kibernetike dhe dezinformimin.
Në takimin me shefin e CIA-s, Hyseni dhe Ratcliffe ndanë qëndrime mbi situatën globale të sigurisë dhe diskutuan për rritjen e kapaciteteve të inteligjencës, ku u vlerësua partneriteti “i shkëlqyer” mes dy agjencive.
Ndërsa në bisedimet me Tulsi Gabbard, u diskutua për sfidat e reja në fushën e sigurisë kombëtare dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në kuadër të inteligjencës strategjike. Shqipëria, përmes SHISH, u përmend si partner i besueshëm dhe faktor stabiliteti në rajon.
Kjo vizitë vjen në një kohë kur Shqipëria ka intensifikuar përpjekjet për të forcuar rolin e saj në arkitekturën globale të sigurisë, veçanërisht pas ngjarjeve të vitit 2022, kur vendi u përball me sulme serioze kibernetike. Në këtë kontekst, bashkëpunimi me SHBA-të shihet si thelbësor për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së interesave kombëtare.
Vlora Hyseni, me origjinë nga Kosova, ka shërbyer më herët si zëvendësdrejtore e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe që prej vitit 2023 është në krye të SHISH-it, duke u bërë gruaja e parë dhe një prej emrave më të spikatur të inteligjencës shqiptare në arenën ndërkombëtare.


