Në një rrëfim të bërë për “Off the Record “, A2CNN, shtetasi palestinez i cili ka kurorëzuar dashurinë e tij me një shqiptare nga Korça, Abdullah Jabir, rrëfehet për situatën që po përjeton vendi dhe njerëzit e tij pas luftës.
“Përshëndetje nga Gaza. Jemi vendosur në çadër, pasi shtëpia jonë është në një vend shumë të rrezikshëm”, e nisi rrëfimin në gjuhën shqipe, palestinezi Jabir, i cili bashkë me familjen e tij, gruan dhe djalin jetojnë në zonën e konsideruar si “ferri mbi tokë”.
“Kam jetuar në Shqipëri nga viti 1994. Jam i martuar me Albinën, nusen time të dashur nga Korça. Kam djalin tim Jakubin, ndërsa djalin tjetër e kemi humbur nga kjo luftë, Ibrahim, ndërsa djali i madh, Ahmedi, është në Tiranë”, thotë ai, teksa zbulon se Ahmedi edhe është martuar para gjashtë muajsh.
Teksa rrëfehet për detyrimet që kishte ndaj mamasë dhe motrës së tij për t’u kujdesur për to e për të mos i braktisur, Abdullah rrëfen se ai nuk i braktisi ata dhe zoti kishte një surprizë. Ndonëse këmbënguli që nusja dhe djemtë e tyre të niseishin drejt Shqipërisë, ai tregon se partnerja e tij nuk e la kurrë.
“Jemi palestinezë, prindërit e mi janë këtu. Kemi shtëpinë këtu në Gaza dhe po vazhdon jeta. Ndodhi lufta dhe ne këtu na ndihmoi shumë ambasada shqiptare në Egjipt. I kam lutur nusen me Ibrahimin dhe Jakubin për të ikur, sepse unë nuk lë dot mamanë dhe motrën me gjithë familjen, që janë këtu, por prapë nusja tha, Abdullah unë kurrë nuk të lë. Jemi vendosur në Gaza”.
Ndërsa në lidhje me situatën dhe çfarë bën ushtria izraelite në Gaza ai nuk ka dëhsrië që të diskutojë fare. “Ju i shikoni vetë”, thotë ai.
Teksa flet, në sfond dëgjohen bombardimet e ushtrisë izraelite. “Janë bombat e izraelitëve sipër popullit të Gazës. Por nuk do të flas për atë, ju i shihni vetë. Do flas për vështirësitë e popullit të Gazës. 2,2 milionë persona sot nuk gjejnë bukë. Jetojmë një herë me bukë, një herë pa bukë. Por edhe ky, për zotin, nuk është problem. Nuk gjejmë ujë, duhen gati një orë për të mbushur bidonin. Jeta është tmerr. Telefonin që po filmojmë, ecim gati gjysmë ore që të gjejmë një pikë për ta karikuar”.
Pavarësisht se çfarë po përjeton së bashku me familjen Abdullah thotë se nga kjo luftë, anëtarët e familjes janë më afër njëri-tjetrit.
Vërtet kohë e vështirë, por e ka bërë familjen prej hekuri. Dashuri, kujdes për njëri-tjetrin.
Jabir tregon se në zonën e Gazës ku ai jeton, palestinezët duan të mësojnë shqip dhe kanë fituar respekt të veçantë për Shqipërinë.
“Albina përfaqëson Shqipërinë brenda Gazës. Në çdo vend ku ajo shkon dhe marrin vesh që është shqiptare dhe ka mundësi të largohet nga ky siklet dhe nuk largohet, sepse ka mundësi të rrijë afër burrit dhe familjes, nuk e dini çfarë respekti kanë. Sa njerëz e duan Shqipërinë në Gaza, nga Albina. Kanë filluar mësojnë gjuhën shqipe, për zotin, nga Albina. Jakubi që vesh bluzën me flamur shqiptar dhe del për qejf, thotë jam palestinez shqiptar”, tregon ai.


