Temperaturat globale pritet të tejkalojnë përkohësisht kufirin prej 1.5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale gjatë pesë viteve të ardhshme, paralajmërojnë shkencëtarët nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).
Sipas parashikimeve të fundit, ka një shans prej 86% që të paktën një vit ndërmjet 2025 dhe 2029 të regjistrojë temperatura mbi këtë prag kritik, i cili është përcaktuar si kufi për të shmangur pasojat më ekstreme të ndryshimeve klimatike.
Jo vetëm kaq: ka një mundësi prej 70% që mesatarja pesëvjeçare e temperaturave globale gjatë kësaj periudhe të jetë gjithashtu mbi 1.5°C në krahasim me nivelet e viteve 1850-1900.
“Ka një shans prej 80% që të paktën një nga vitet e ardhshme të jetë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në histori”, thuhet në analizën e përbashkët të WMO dhe Zyrës Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar.
Edhe pse kapërcimi i përkohshëm i këtij pragu nuk do të thotë se objektivi i Marrëveshjes së Parisit është dështuar përfundimisht, rritja e shpejtë e temperaturave tregon se planeti po afrohet rrezikshëm pranë pikës së pakthyeshme.
Analiza zbulon gjithashtu një mundësi – edhe pse ende të ulët, vetëm 1% – që temperatura globale të tejkalojë 2 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale para vitit 2030.
Ndërkohë, Evropa Veriore pritet të përballet me dimra jashtëzakonisht të lagësht, me rrezik të shtuar për përmbytje dhe pasoja të tjera klimatike.
Aktualisht, ngrohja globale vlerësohet të jetë rreth 1.4°C mbi nivelet paraindustriale. Për shkencëtarët, kjo është një tjetër kambanë alarmi për nevojën urgjente të veprimit global për të reduktuar emetimet dhe për të frenuar ndryshimet klimatike para se të jetë tepër vonë.


