Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës në zonën Stonebridge të Brent-it, ku dy banesa mësohet të jenë përfshirë nga flakët.
Për rrjedhojë kanë humbur jetën një grua 43-vjeçare, një vajzë 15-vjeçare dhe dy djem të moshave tetë dhe katër vjeç.
Ndërsa një vajzë 13-vjeçare (e familjes fatkeqe që humbë jetën për shkak të flakëve) ndodhet në gjendje kritike në spital.
E lënduar mësohet të ketë ndodhur dhe një grua 71-vjeçare e cila po lufton me jetën.
Mediat e huaja raportojnë se familja është me origjinë pakistaneze prej vitesh jetonin në rrugën Tillett Close.
Shërbimi i Zjarrfikësve të Londrës njoftoi se nëna dhe një nga fëmijët u shpëtuan nga kati i dytë i banesës, por fatkeqësisht humbën jetën menjëherë për shkak të plagëve të marra.
Dy fëmijët e tjerë u gjetën të pajetë brenda shtëpisë gjatë përpjekjeve të zjarrfikësve për të përballuar flakët.
Buzë banesës së djegur, qytetarët vendosën trëndafila dhe një arush lodër blu në shenjë zie dhe solidariteti me familjen.
Sakaq thuhet se policia po vijon hetimet me zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërsa dyshohet se kemi të bëjmë me vrasje të shumëfishtë.


