Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e premte në Kosovë ku një oficer policie është vënë re duke vrapuar në drejtim të maturantëve serb, në veri të vendit.
Në lidhje me këtë u pretendua se oficeri ka kapur nga qafa një maturant të cilin e dhunoi. Ndaj në media u raportua se polici në fjalë ka gjakosur maturantin serb.
Mirëpo ditën e sotme në një konferencë për mediat, Policia e Kosovë ka mohuar akuzat për dhunë si dhe ka bërë me dije se ndaj ofeicerit të përfshirë në këtë incident kanë nisur hetimet.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se zyrtari policor do të hetohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe se ai është transferuar në stacionin policor në Mitrovicën e Jugut nga Mitrovica e Veriut pas incidentit.
Hoxha tha se Policia e Kosovës ndodhej aty në mbështetje të parakalimit të paralajmëruar të maturantëve, duke shtuar se “disa pjesëmarrës filluan t’i provokojnë qytetarët që kanë qenë ulur në kateteri me thirrjet ‘Kosova është zemra e Serbisë’ dhe duke bërë simbolin me tre gishtërinj”.
Ai tha se reagimi u bë me “qëllimin e vetëm që situata të mos përshkallëzohej në mes të nxënësve dhe qytetarëve që kanë qenë në kateteri”.
Hoxha i hodhi poshtë pretendimet se ishte ushtruar dhunë ndaj maturantit dhe i quajti “propagandë” raportimet se ai ishte gjakosur nga zyrtari policor gjatë incidentit.
referuar deklaratave të viktimës dhe pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, Hoxha tha se nuk është evidentuar asnjë lëndim fizik, ndërsa shenjat e kuqe në qafën e nxënësit nuk janë të shkaktuara nga ndonjë dhunë.
“Ngjyra në qafën e maturantit ka qenë e vendosur para, dhe është ngjyrë, nuk është gjak. Bazuar në deklaratën e tij, edhe maturantë tjerë kanë pasur simbole të vendosura paraprakisht, si traditë e maturantëve të asaj pjese”, tha Hoxha.


