Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, në një deklaratë të fortë gjatë fjalimit të saj të parë në Parlamentin Evropian, e cilësoi ofensivën izraelite në Gaza si gjenocid, duke kritikuar heshtjen ndërkombëtare përballë tragjedisë humanitare.
“Ky është gjenocid. Unë do të guxoj ta them këtu dhe sot në Parlamentin Evropian. Ne po e shohim, po e ndjekim dhe po heshtim,” – deklaroi Pirc Musar.
Ajo dënoi gjithashtu bllokimin e ndihmës humanitare nga Izraeli që nga fillimi i marsit, duke theksuar se, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme mes vendeve anëtare të BE-së, askush nuk duhet të harrojë ligjin humanitar ndërkombëtar.
Konflikti në Lindjen e Mesme ishte një nga temat kyçe të takimeve të saj në Bruksel me liderët evropianë, përfshirë presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen, të cilët e siguruan për një angazhim më të madh të BE-së drejt paqes.
Zgjerimi i BE-së, një tjetër prioritet
Përveç Lindjes së Mesme, presidentja sllovene theksoi rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian, të cilin e konsideroi një domosdoshmëri gjeopolitike dhe detyrim moral.
Në takimin me Komisioneren evropiane për zgjerim, Marta Kos, ajo theksoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë nuk është thjesht një proces teknik, por një investim strategjik për paqen dhe të ardhmen e Evropës.


