Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, reaguan pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e dy pasurive në kuadër të një hetimi penal, duke theksuar se nuk ekziston asnjë lidhje pasurore apo ligjore midis Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe pasurisë së sekuestruar.
Sipas deklaratës, asnjëri prej tyre nuk është pronar i pasurisë nën hetim, e cila lidhet me një subjekt tregtar të tretë (“A.K.” shpk), ndërsa apartamenti ku banon çifti në zonën e Selitës, në pronësi të Znj. Xoxa dhe i përfituar para martesës, nuk është pjesë e asnjë procedimi penal apo mase sekuestrimi.
Avokatët theksuan se pasuritë janë deklaruar sipas ligjit dhe se çifti ka qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet. Ata e konsiderojnë hetimin dhe raportimet si tentativë për dëmtim të imazhit të Veliajt, duke paralajmëruar ndjekje të rrugëve ligjore për mbrojtjen e reputacionit të tij.
Në fund të reagimit, kërkohet ndjesë për çdo shqetësim të shkaktuar banorëve të pallatit ku jeton çifti, duke u shprehur se “i vetmi faj i tyre është se banojnë në të njëjtën ndërtesë me ta”.
Reagimi i avokatëve:
Në vijim të raportimeve mediatike dhe interesit të shtuar publik lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024, sqarojmë si më poshtë: As Erion Veliaj dhe as Znj. Ajola Xoxa nuk janë pronarë të kesaj pasurie të sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje pasurore apo ligjore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, e as me pasurinë që është objekt i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.
Pasuria e paluajtshme në pronësi të Z. Xoxa është apartamenti ku ata banojnë, në zonën e Selitës, krijuar para marteses dhe ky apartament nuk është dhe nuk ka qenë në asnjë moment objekt hetimi apo sekuestrimi nga ndonjë autoritet ligjzbatues. Theksojmë se është në të drejtën ligjore të organit të akuzës të kryejë hetime, por dyshimet e ngritura duhet të bazohen në fakte konkrete dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave themelore të individit.
Z. Veliaj dhe Znj. Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, si para dhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet përgjegjëse. Çdo përpjekje për të deformuar realitetin dhe për të lidhur emrin e tyre me çështje që nuk kanë asnjë bazë ligjore përbën keqinformim të opinionit publik dhe sulm ndaj figurës publike të Z. Veliaj, për cka do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe zbardhjen deri në fund të së vërtetës.
Ju kerkojme ndjese per cdo shqetesim te krijuar komshinjve te ciftit Veliaj Xoxa dhe i vetmi “faj” i tyre eshte se banojne ne te njejtin pallat me keto te fundit.


