Xhemal Qefalia, deputeti socialist në një intervistë televizive u shpreh se Kongresi i PS që do të mbahet të dielën është i natyrshëm. Ai deklaron se do të bëhet zgjedhja e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
“Është një kongres i natyrshëm, do të jetë një Kongres me delegatët që janë zgjedhur në të gjithë Shqipërinë.
Vjen pas atyre takimeve dhe mbledhjeve të vazhdueshme. Është një Kongres ku do të zgjidhen anëtarët e Asamblesë”, tha Qefalia.
“Lidhur me zgjedhjet në Himarë, Qefalia theksoi se PS ka si kandidat një personalitet. “Vangjel Tavo ka qenë deputet dhe ministër, është një intelektual, jo vetëm minoritar, por një njeri që i qëndron afër komunitetit. Nuk jemi impenjuar të gjithë deputetët në Himarë, por drejtuesit e fushatës në Himarë kanë organizuar punën me deputetët e bregut për të pasur një fitore”, tha Qefalia.
Gjithashtu ai është pyetur nëse ekziston një marrëveshje mes tij dhe Belind Këlliçit, Qefalia u shpreh se nuk ka asnjë kompromis. “Jam i hapur e transparent për çdo veprim timin. Unë isha në stadium bashkë me familjen time, sikundër ai ishte me familjen e tij. E ç’të keqe ka këtu? Unë dhe zoti Këlliçi i kemi të ndara rrugët, ai ka subjektin e vet politik, është në të drejtën e tij kur flet, të japë fakte”, tha Qefalia. Ai e konsideroi të turpshme interpretimin që i bëhet fotove nga stadiumi, ku Qefalia dhe Këlliçi ishin pranë njëri-tjetrit, teksa luante kombëtarja e Shqipërisë në Euro2024.
“Po pse as ndeshjet s’duhet të shikojmë? Mos duhet të ketë dy stadiume? Është e turpshme mënyra se si interpretohen gjërat”, tha Qefalia.


