Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot opinionin publik në Prishtinë, ku një foshnje e porsalindur është gjetur pa shenja jete në një qese plastike, në afërsi të një vendgrumbullimi mbeturinash në lagjen Matiqan.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 11:00 në rrugën “Qëndresa”. Njësitë policore dhe mjekët emergjent kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku është konstatuar se foshnja nuk kishte shenja jete.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka bërë të ditur se trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërsa bën apel për bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacion lidhur me këtë ngjarje.
Autoritetet e sigurisë e kanë cilësuar rastin si prioritar dhe po hetojnë të gjitha pistat e mundshme për të identifikuar përgjegjësit.


