Blendi Gonxhja, kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, ka marrë mbi 22 mijë vota në zgjedhjet e fundit, një rezultat që ai e cilëson si një kënaqësi të veçantë dhe një konfirmim të vlerës si kandidaturë.
Në një deklaratë për mediat, Gonxhja tha se nuk e kishte parashikuar këtë mbështetje dhe e konsideron atë si një borxh moral ndaj vetes dhe familjes:
“Është një kënaqësi në shumë nivele. Secili nga ne ka historinë e vet. Kam kaluar momente të vështira në jetë, veçanërisht pas vitit 2002. Ia kisha borxh vetes dhe familjes ta provoja sërish, pa u denatyruar, për të qenë një ofertë e vlefshme dhe e ndershme në këtë garë,” u shpreh ai.
Gonxhja theksoi se rezultati është më shumë një vlerësim për integritetin dhe angazhimin e tij se sa për aspektin personal:
“Ky rezultat është një arsye për t’u ndjerë krenar, jo për ego personale, por për biografinë dhe përpjekjet që kam bërë ndër vite,” shtoi ai.

