Një avion i kompanisë Wizz Air, me destinacion Tiranën, u detyrua të ndalojë urgjentisht ngritjen nga pista në Aeroportin e Lutonit në Londër, pas një problemi teknik që u shfaq në momentet e fundit përpara fluturimit. Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 15:10, teksa aeroplani po përshpejtonte për të fluturuar.
Në një intervistë për BBC, një nga pasagjerët, britaniku 64-vjeçar Paul Bartlett, e përshkroi momentin si “të frikshëm”, pasi frenimi ndodhi kur avioni ishte vetëm një sekondë larg ngritjes.
“Pjesa e përparme e avionit ishte ngritur dhe po prisnim vetëm çlirimin e gomave të pasme… dhe papritur, frenim i fortë. Ishte shumë e papritur dhe befasuese,” u shpreh Bartlett.

Pas frenimit emergjent, të gjithë pasagjerët zbritën të sigurt ndërsa pranë avionit mbërritën ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësja, siç konfirmoi edhe zëdhënësi i aeroportit.
Sipas njoftimit të Wizz Air, vendimi për ndërprerjen e ngritjes u mor për shkak të një defekti teknik të konstatuar nga pilotët, pa dhënë më shumë detaje për natyrën e problemit.


