Partia Demokratike ka arritur të sigurojë vetëm 4 mandate në qarkun e Fierit, duke shënuar një humbje të rëndë. Pas publikimit të rezultateve, ka reaguar drejtuesi politik i PD për këtë qark, Gazment Bardhi, i cili ka shprehur zhgënjimin e tij për mënyrën si është zhvilluar procesi zgjedhor.
“Me zemër të thyer se zgjedhjet e 11 Majit nuk ia dolën të shprehin vullnetin real të qytetarëve, dua të falenderoj me përulësi të gjithë ata demokratë dhe mbështetës të opozitës që i besuan votën Partisë Demokratike!”, shkruan Bardhi.
Ai e përshkruan garën në Fier si një përballje mes qytetarëve të lirë dhe “një bande ministrash”.
“Në qarkun e Fierit, ne ishim njerëzit e lirë përballë një bande ministrash dhe drejtorësh të korruptuar, që përdorën shtetin dhe krimin e organizuar për të ruajtur pushtetin!”, deklaron ai.
Në përfundim të mesazhit të tij, Bardhi falenderon të gjithë strukturat e PD-së për punën dhe përkushtimin, duke dhënë një mesazh qëndrese për të ardhmen:
“Ju falenderoj me zemër për qendresën dhe besimin! Një falenderim të veçantë për strukturat e Partisë Demokratike, komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit e palodhur!”
“Ne do të qëndrojmë së bashku të panënshtruar sepse Shqipëria ka nevojë për njerëz të lirë!”, përfundon reagimin e tij Gazment Bardhi.

