Nga KZAZ nr. 36 në Tiranë, ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi se Partia Socialiste është në avantazh dhe ka siguruar një rezultat të kënaqshëm deri në këtë fazë të numërimit të votave.
Ajo bëri të ditur se janë numëruar 38 nga 47 kutitë e votimit në njësi, ku PS ka marrë 6,451 vota nga rreth 13 mijë gjithsej, duke ruajtur epërsinë ndaj forcave të tjera politike.
“Në të gjitha kutitë jemi me avantazh mbi të gjitha forcat e tjera në garë. Procesi ka shkuar shumë mirë deri tani,” tha Ibrahimaj, duke shtuar se numërimi pritet të përfundojë nesër pasdite.
Ajo theksoi se PS synon të kapërcejë 50% të votave në këtë njësi, gjë që, sipas saj, është e arritshme duke parë trendin aktual.
Duke komentuar mbi raportin paraprak të OSBE/ODIHR, Ibrahimaj tha:
“Procesi i votimit dhe numërimit kanë qenë të qeta dhe në fund do shohim raportet finale, por mendoj se kemi pasur një proces të mirë.”
Sipas saj, procesi ka qenë konkurrues dhe transparent, edhe pse ajo pranoi se gjithmonë ka vend për përmirësime në të gjitha aspektet e menaxhimit zgjedhor.


