Moska po shqyrton propozimin për armëpushimin 30-ditor në Ukrainë, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili i tha rrjetit televiziv amerikan CNN se çështja kërkon shqyrtim të kujdesshëm.
“Duhet të mendojmë për këtë. Ky është një zhvillim i ri. Ne kemi qëndrimin tonë”, tha Peskov, duke vënë në dukje se presidenti rus Vladimir Putin kishte njoftuar tashmë një armëpushim tre-ditor disa ditë më parë, pa asnjë përgjigje nga Kievi.
Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se pavarësisht veprimit të njëanshëm të Rusisë, nuk ka pasur asnjë reagim publik nga pala ukrainase.
“A keni dëgjuar ndonjë përgjigje nga Kievi? Jo, as ne. A keni dëgjuar ndonjë kritikë ndaj Kievit për mosreagim ose për mosdëshirën për t’u përgjigjur? “Jo”, theksoi Peskov, duke nënvizuar mungesën e presionit ndërkombëtar mbi udhëheqjen ukrainase.
Më parë, fuqitë e mëdha evropiane mbështetën propozimin për një armëpushim 30-ditor pa kushte në Ukrainë, me marrëveshjen e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, dhe kërcënuan Presidentin rus Vladimir Putin me sanksione të reja “të mëdha” nëse ai nuk e pranon atë brenda ditëve të ardhshme.
Moska, megjithatë, paralajmëroi se është “e kotë” të ushtrohet presion mbi të.
“Ne jemi mësuar me sanksionet, tashmë mund ta imagjinojmë se çfarë do të bëjmë pas shpalljes së tyre, si t’i minimizojmë pasojat“, tha Peskov në një intervistë me kanalin Rossiya 1.
Peskov foli gjithashtu për “irritimin” e evropianëve përballë “mbështetjes globale” për Ditën e Fitores në Moskë.
“Evropianët janë nervozë për atë që ndodhi të premten në Moskë. Ata janë nervozë përballë mbështetjes së madhe globale për Ditën e Fitores”, tha Peskov në mënyrë karakteristike.


