Data 7 maj, ishte afati i fundit që Aida Hajnaj të shprehte interes për riemërim në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit, institucion që e ka drejtuar për 5 vite.
Burime pranë SPAK bëjnë me dije se Hajnaj nuk ka depozituar dokumentacionin, ndaj Komisioni që përbëhet nga drejtuesi i SPAK Altin Dumani dhe prokurorët e posaçëm Arben Kraja e Behar Dibra, pritet që të çelë garën e hapur për zgjedhjen e drejtuesit të ri të BKH-së.
“Drejtuesja aktuale e BKH-së ka bërë shprehje interesi para disa kohësh (muaji mars). Pasi u ngrit Komisioni i Vlerësimit i kërkoi të sillte dokumentacionin. Mbas verifikimit te dokumenteve do fillonin testimet përkatëse. Drejtoresha aktuale nuk solli dokumentacionin sipas afatit të përcaktuar. Si rezultat procesi i riemerimit nuk mund të vijojë në kalimin e testimeve, dhe procedura për riemërimin e saj mbyllet këtu”, sqaroi një burim pranë SPAK.
Komisioni pritet të çelë garë e hapur. Kujtojmë se çdo kandidat sipas ligjit duhet t’i nënshtrohet procesit me 7 faza.


