Pas realizimit të autostradës Thumanë-Kashar, tarifë për automjetet do të kenë edhe 3 rrugë të tjera . Ministria e Infrastrukturës sqaroi se bëhet fjalë për koncesionet Milot-Thumnë, Kashar-Lekaj si dhe Lekaj-Fier.
Të gjithë rrugët që do të jenë pjesë e korridorit Milot-Fier, do të jenë me pagesë. Përveç autostradës Thumanë-Kashar, i vetmi aks rrugor i përfunduar i Korridorit Blu, zëvendësministrja e Infrastrukturës Enkeleda Muça tha se pritet të nënshkruhen kontratat për 3 segmentet e tjera duke qenë se janë shpallur fituesit.
“Segmenti Milot-Thumanë është shpallur fituesi dhe jemi në fazën e negocimit të kontratës. Për Milot Balldrenin jemi në një fazë procedure për përzgjedhjen e projektimit ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe transferimin e segmentit. Për Balldren-Muriqanit jemi në fazën e studimit të fizibilitetit. Në lidhje me segmentin Kashar-Pezë-Lekaj është shpallur fituesi jemi në fazë negocimi dhe shumë shpejt do të nisin punimit dhe për Lekaj-Fier është shpallur fituesi dhe jemi në fazën e negocimit të saj. Të gjitha do të ketë një rrugë alternative sepse jemi në Partneritet Publik Privat. Do të jenë me të njëjtën formulë si Thumanë-Kashar, dhe do të jenë me koncesion. Do të jenë me pagesë por do të ketë rrugën alternative gjithmonë në përdorim”, tha zëvendësministrja.
Për tre akset që janë shpallur fituesit e koncesioneve vlera e investimit arrin deri në 839,4 milionë euro, dhe afati i koncesionit për tre projektet është 35 vite.
Segmenti Milot-Thumanë me gjatësi 13.5 km do të kushtojë 44,6 milionë euro pa TVSH, Kashar-Pezë-Lekaj me gjatësi 26.6 kilometra me kosto 474,8 milionë euro pa TVSH dhe Lekaj-Fier me gjatësi 46 km do të kushtojë 320 milionë euro. Ndërsa 21 kilometrat e Thumanë-Kasharit kanë kushtuar 226 milionë euro.

