Deputetja e Partisë Socialiste dhe kandidate për Tiranën në zgjedhjet e 11 majit, Klotilda Bushka, ka komentuar situatën politike në kryeqytet dhe rolin e munguar, por të ndjeshëm, të Erion Veliajt, kryebashkiakut aktualisht nën arrest.
E ftuar në studion e News24, Bushka u shpreh se mungesa personale e Veliajt ndihet thellësisht nga ajo vetë dhe kolegët, por puna e tij është ende e dukshme në çdo cep të qytetit.
“Erioni më mungon si mik, si shok partie, si mbështetës. Por ai nuk mungon në punët që ka lënë pas – është në çdo shkollë, kopsht, çerdhe, në çdo komunitet ku ka qenë aktiv,” tha ajo.
Duke theksuar se shpreson që çështjet ligjore të sqarohen sa më shpejt, Bushka theksoi se fushata e Partisë Socialiste në Tiranë po zhvillohet me angazhim maksimal.
“Presim të sqarohen çështjet dhe shpresoj që Erioni të rikthehet aktiv, por ne jemi të fokusuar dhe të bashkuar. Qytetarët e njohin punën që është bërë dhe kjo është ajo që vlen më shumë në këtë moment,” shtoi ajo.
Deputetja theksoi se PS po ecën drejt zgjedhjeve me objektiva të qarta për një mandat të ri dhe me besimin tek vlerësimi i qytetarëve për punën e deritanishme në Tiranë.


