Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV, ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Tedi Blushit, të cilin e akuzon se ka përfituar personalisht në kurriz të partisë së saj.
Sipas Kryemadhit, Blushi, aktualisht deputet, është pasuruar në mënyrë të dyshimtë, duke përmendur konkretisht se ai ka përfituar tri shtëpi ndërkohë që më parë nuk kishte asnjë banesë. Ajo tha se pasurimi nuk vjen nga pushteti, por, sipas saj, nga procesi i dobësimit dhe shkatërrimit të partisë.
“Është njeriu më i lumtur në botë sot. Deputet, gruaja drejtoreshë pranë Ulsi Manjës, vjehrri nëndrejtor në Spitalin e Burgut. E gjitha kjo, ndërkohë që më parë ishte pa shtëpi”, deklaroi Kryemadhi.
Ajo theksoi se në bindjen e saj, Blushi ka luajtur një rol kyç në dobësimin e forcës politike ku ai vetë ka qenë aktiv për vite me radhë.


