Një denoncim i bërë nga emisioni investigativ “Fiks Fare” ka hedhur dritë mbi të kaluarën shëndetësore të Gentian Ndojit, kandidat për deputet në Shkodër nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore (në listën e PD-së). Sipas dokumenteve të siguruara nga redaksia, Ndoj ka qenë pacient në Spitalin Psikiatrik të Shkodrës me diagnozën “çrregullime deluzionale”, që prej vitit 2004.
Fiks Fare ka publikuar kartela mjekësore, vendime të komisioneve mjekësore ushtarake dhe dokumente të ndihmës ekonomike, që konfirmojnë diagnozën e përsëritur për vite me radhë. Në këto dokumente zyrtare, ai cilësohej si i paaftë për shërbim ushtarak dhe përfitues i ndihmës si invalid.

Vetë kandidati, i cili aktualisht është i përfshirë në fushatë zgjedhore, e mohon të ketë probleme shëndetësore dhe thotë se bëhet fjalë për sulme politike të orkestruara nga kundërshtarët e tij. Ai deklaron se është i aftë për të qenë pjesë e Kuvendit dhe se ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin për kandidaturën e tij.
Megjithatë, përgjatë intervistës me gazetarët e “Fiks Fare”, Ndoj shmang përgjigjet e drejtpërdrejta mbi të shkuarën e tij mjekësore dhe nuk sqaron nëse ka njoftuar Partinë apo KQZ-në për diagnozat e mëparshme. Dokumentet që disponon emisioni ngrejnë shqetësime për procesin e verifikimit të kandidatëve dhe për sigurinë institucionale.


