Një përleshje e dhunshme ka ndodhur rreth orës 13:00 në lagjen Kalabria të Prishtinës, ku dy persona kanë mbetur të plagosur nga armë të ftohta.
Sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, të lënduarit janë dërguar menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor. Policia ka dalë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet, duke kryer ekzaminimet përkatëse dhe veprime operative.
I dyshuari për përfshirje në incident është identifikuar dhe është paraqitur në polici. Hetimet po vazhdojnë në koordinim me prokurorin e shtetit për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

