Qyteza bregdetare e Ksamilit është vënë në qendër të një operacioni të gjerë policor që nisi mbrëmjen e së hënës dhe po vijon me intensitet të lartë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), në bashkëpunim me Policinë e Sarandës dhe strukturat operacionale, kanë rrethuar zonën në kuadër të një operacioni “Top Sekret”.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se objektivi janë disa persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët ndodhen ende në kërkim. Forcat policore kanë vendosur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e Ksamilit, ndërsa zonat mes Ksamilit dhe Butrintit po “krihen” metër për metër.
Agjentët kanë nisur analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në disa biznese, në përpjekje për të lokalizuar të dyshuarit. Mësohet gjithashtu se ka pasur edhe përplasje të armatosura mes të dyshuarve dhe policisë, çka ka detyruar ndërhyrjen e forcave shtesë.
Operacioni pritet të shtrihet deri në territorin e Bashkisë së Konispolit dhe në kufirin me Greqinë, ndërkohë që nuk ka ende njoftime zyrtare për të arrestuar.


