TIRANË– Apeli i GJKKO-së ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë “Arrest me Burg” për Samuel Troshanin dhe Izmir Sakicën, të cilët kërkuan lirinë nga qelia.
Dy të rinjtë u shpallën në kërkim dhe u vetëdorëzuan në policinë e Shkodrës më 25 Janar 2025.
Prokuroria e Posaçme i akuzon si të përfshirë në përplasjen me armë zjarri në Bushat, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit të kaluar. Ata dyshohen se së bashku me shtetasin Franko Leka shkuan në Bushat me mjete të blinduara për të vrarë Aleksandër Prendin dhe familjarët e tij.
Bazuar në atë që raporton SPAK, Samuel Troshani, Izmir Sakica, dhe Franko Leka në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës.
Dy të rinjtë kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e Prendit dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë. Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga Prendi, thotë SPAK, dhe se nga provat e siguruara në vendin e ngjarjes rezulton të ketë pasur shkëmbim zjarri, jo dëmtime të shëndetit të personave të përfshirë, por vetëm të mjeteve./Radar.al


