Një bisedë e kryeministrit Albin Kurti me dy komedianë rusë, ka shkaktuar reagime të mëdha. Kurti ra pre e një shakaje të komedianëve rusë pak pas zgjedhjeve, duke menduar se po flet me kryeministrin e Letonisë.
Shakanë e njëjtë kishin pretenduar t’ia bëjnë edhe Hashim Thaçit. Mirëpo, Thaçi në atë kohë, kishte thënë se i kishte zbuluar.
“Mashtruesit kanë pretenduar të depërtojnë edhe në zyrën time, mirëpo ka pasur kujdes maksimal prej institucioneve këtu, sepse unë nuk mund të flasë me dikë pa qenë paraprakisht i informuar pa i njohur temat që mund t’i flasë dhe pastaj pa u lidhur të dy kabinetet të presidentit të Kosovës me autoritetin që dëshiron të flasë.
Ka qenë para shtatë-tetë muajsh kjo përpjekje e tyre për të biseduar me mua si president i Kosovës, falënderoj kabinetin që janë treguar të kujdesshëm dhe e kanë parandaluar këtë mundësi të një komunikimit të drejtpërdrejtë të këtyre dy mashtruesve në emër të ish-presidentit Petro Poroshenko”, deklaroi Thaçi asokohe.
Reagimi i Thaçit kishte ardhur pasi pre e të njëjtës situatë, kishte rënë edhe Zoran Zaev ku ishte përmendur Thaçi.


