Një video e postuar së fundmi ka bërë xhiron e rrjetit.
Bëhet fjalë për një incident të ndodhur mes politikanit Romano Prodi dhe gazetares së “Quarta Repubblica”, Lavinia Orefici.
Ditën e shtunë gazetarja i kërkoi ish-Presidentit të Komisionit Evropian një koment mbi një pasazh në Manifestin e Ventotenes për bashkimin e Europës, në lidhje me pronën private.
Mesa duket kjo pyetje e ka shqetësuar Prodin, i cili ,referuar një videoje të publikuar në rrjet, shfaqet teksa i tërheq flokët gazetares.
Në lidhje me këtë situatë gazetarja është ndjerë e poshtëruar nga ana e Prodit.
“Presidenti Prodi, përveç se u përgjigj me një ton agresiv dhe frikësues, më kapi një tufë flokësh dhe i tërhoqi. Ishte tronditëse për mua”, deklaroi ajo.
Nga ana tjetër ish-presidenti deklaroi se kontakti ishte i rastësishëm dhe pa asnjë qëllim ofendues.
Kjo video ka shkaktuar debat në vendin fqinj.
Të shumtë kanë qenë personat që kanë kritikuar veprimin e Prodit.


