Kryedemokrati, Sali Berisha së fundmi u ka bërë thirrje të rinjve që të bashkohen në protestën që do të zhvillohet ditën e sotme kundra mbylljes së platformës TikTok.
Berisha e ka cilësuar mbylljen e Tik Tok si censurë dhe për këtë arsye iu kërkoi të rinjve të protestojnë ditëmn e sotme në orën 19:00.
Protesta e thirrur nga opozita për pasditen e sotme kundër mbylljes së Tik Tok-ut ka vënë në gatishmëri Policinë.
Burimet bëjnë me dije se lejaq e kërkuar për të zhvilluar protestën është 2 orë, duke nisur nga ora 19:00 deri në orën 21:00.
Më tej bëhet me dije se qytetarët duhet të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së kryeministrisë.
Që me nisjen e protestës e deri në përfundim të saj, nga Policia Rrugore do të bllokohen të gjitha rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në terren mësohet se do të jenë prezentë rreth 1 200 efektivë.
Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, nëse në një moment do të duhet ndërhyrja e tyre.
Ndërsa punonjës të Gardës së Republikës do të marrin në ruajtje institucionet e rëndësisë veçantë. Si në çdo protestë, të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz.
Përgjatë bulevardit do të vendosen kamera me rezolucion të lartë, për të identifikuar tubuesit e dhunshëm.
Detyrat e lëna nga drejtuesit e policisë për vartësit e tyre janë që të mos provokohen nga protestuesit, si dhe të mbahen nën vëzhgim ata persona që në protestat e mëparshme kanë kryer akte dhune.


