TIRANË– Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot prezantimin e projektit inovativ në Sheshin “Nënë Tereza” për instalimi e veprës “Tirana Mooons” nga arkitekti Chris Precht.
Në fjalën e tij, Kryeministri vlerësoi këtë projekt si një shembull të arkitekturës bashkëkohore dhe njoftoi zhvillime të tjera të rëndësishme në fushën e urbanistikës. “Jo shumë larg nga këtu janë disa projekte tashmë të aprovuara, ndër të cilat edhe ai i arkitektit të njohur Valerio Olgiati, një prej më të veçantëve sot në botë,” u shpreh Rama, duke iu referuar projektit për ndërtimin e Grand Park Skyline.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Korporata Shqiptare e Investimeve do të shpallë një konkurs për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, me një model të ngjashëm me transformimin e stadiumit kombëtar. “Do të fitojmë një pallat kongresesh të rinovuar dhe transformuar, që do të jetë një aset i rëndësishëm për kryeqytetin,” shtoi Rama.
Një tjetër projekt inovativ është edhe instalimi i veprës “Tirana Mooons” nga arkitekti Chris Precht, e cila do të pasurojë hapësirën e Sheshit “Nënë Tereza” me një oaz të gjelbër dhe një zonë publike të dedikuar librit. Ky projekt synon të krijojë një mjedis modern dhe funksional për qytetarët, duke e kthyer hapësirën në një qendër kulturore dhe sociale.
Me këto zhvillime, Tirana vazhdon të transformohet përmes arkitekturës bashkëkohore, duke integruar hapësira të reja publike dhe projekte që synojnë përmirësimin e jetës urbane./Radar.al


